Kurti takoi O`Brien, temë diskutimi sulmi terrorist në Ibër- Lepenc

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë, Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Sipas njoftimit nga qeveria, temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.

“Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë”, citon komunikata kryeministrin Kurti.

Në këtë takim, kryeministri i ka treguar Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brienpër konfiskimet që ndodhën në lidhje me rastin ku e ka njoftuar se krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.

“Sulmi i të premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”, thuhet tutje në njoftim për këtë takim.

Në këtë takim bëhet e ditur se kreu qeveritar ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit që është i kërkuar nga drejtësia kosovare si kreu i grupit terrorist për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje. Kryeministri Kurti falënderoi Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë”, përfundon komunikata qeveritare.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika