Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka deklaruar se shteti që udhëheqë e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian.
Këtë deklaratë Levits e ka bërë të premten në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ndër të tjera thuhet se ka biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Presidenti i Letonisë e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. E përgëzoi për progresin e shënuar ekonomik dhe tha që ky duhet të jetë fokusi i rëndësishëm i Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.
“Letonia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e shtetit tuaj në Bashkimin Evropian, tha Presidenti Levits. Ai ofroi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”, thuhet tutje.
Po ashtu, bëhet e ditur se Levits ka theksuar vazhdimin e mbështetjes për trajnime e studime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në fushën juridike në Riga Laë School.
“Ndërkohë që bëri të ditur financimin e kurseve të studimit dhe trajnimit në Letoni për dy oficerë të lartë të FSK-së”.
Kryeministri Kurti në anën tjetër bëhet e ditur se ka falënderuar presidentin Levits për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Letonia dhe përkrahjen për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.