Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapjen zyrtare të fushatës elektorale në Prishtinë, për zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.
Kandidati i Vetëvendosjes për deputet, kryetari i Degës së kësaj partie në Prishtinë, Arben Vitia, ka thënë se për shkak të pandemisë hapja e fushatës po bëhet më e thjeshtë e jo me tubime.
“Jemi një pjesë e kandidatëve për deputetë nga lista e VV-së dhe e Vjosa Osmanit me numër 127 dhe në kushte të cilat gjendemi pra në situatë të jashtëzakonshme, e kemi filluar kështu pasi nuk mund të bëjmë hapje me tubime tradicionale siç kemi bër herave tjera”, ka thënë ai.
Vitia theksoi që besojnë që Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë në këto zgjedhje.
“Bashkë me kandidatët jemi këtu, për të siguruar që fitorja e VV-së është e sigurt. Deri atëherë, secili prej kandidatëve do të shkojmë të takojmë qytetarët që fitorja të jetë më bindëse. Ju uroj sukses të gjithë kandidatëve dhe qytetarëve dhe ju uroj fitoren që e presin me 14 shkurt, në të cilën na presin shumë punë për të bërë të cilat po i kërkojnë qytetarët”, u ka deklaruar Vitia.