Presidentë e kryeministra të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe më gjerë e kanë uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe popullin kosovar për 17 Shkurtin – Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, raporton Kosova Post.
Presidentja Osmani, ndër telegramet e para uruese në prag të kësaj dite, e ka pranuar atë nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në telegramin e tij, presidenti Steinmeier ka rikujtuar vitin 2008, kur ndodhej në pozitën e ministrit të Jashtëm gjerman dhe kur bashkë me homologë të tjerë nga SHBA-ja dhe Evropa u deklaruan pro njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani”, thuhet në telegramin e presidentit Steinmeier.
Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth R., duke uruar presidenten Osmani për përvjetorin e pavarësisë, tha se “ndërsa i kapërcejmë sfidat globale shëndetësore së bashku, me vendosmëri dhe këmbëngulje, uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen”.
Ndërkohë, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, në telegramin e tij urues, ka theksuar se Italia do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në përpjekjet e saj për konsolidimin e institucioneve demokratike në perspektivën evropiane.
“Do të vazhdojmë të punojmë për ta sjellë Kosovën dhe shoqërinë e saj civile më afër Evropës, veçanërisht brezat e rinj”, thuhet në telegramin e presidentit Mattarella.
Urime për përvjetorin e 14-të, presidentja dhe populli kosovar kanë marrë edhe nga presidenti i Konfederatës Zvicerane, Ignazio Cassis, i cili e ka cilësuar si të shkëlqyeshëm bashkëpunimin midis dy vendeve.
“Marrëdhëniet e mira dhe miqësore të bazuara në besimin reciprok në mes të dy vendeve tona janë kyçe për të trajtuar së bashku sfidat e mëdha globale dhe rajonale”, thuhet në telegramin e presidentit Cassis.
Edhe presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, është bashkëngjitur në urimin e pavarësisë së Kosovës, ku në telegramin dërguar presidentes Osmani, ka vlerësuar lartë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Austrisë në politikë, ekonomi, shkencë e shërbime kulturore.
“Pavarësisht pandemisë, vizita juaj, zonja Presidente, dhe disa vizita në nivel qeveritar e kanë thelluar më tej këtë bashkëpunim përgjatë vitit 2021”, thuhet në telegramin e presidentit Van der Bellen.
Ndërkaq, kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës (BeH), Zheljko Komshiq, në telegramin e tij ka thënë se është shënuar avancim i marrëdhënieve midis BeH dhe Kosovës ndërsa kjo marrëdhënie miqësore do të ketë rëndësi të posaçme në të ardhmen e afërt.
Komshiq theksoi se BeH dhe Republika e Kosovës i ndajnë prioritetet e tyre të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, siç janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerët që i ndajnë vlerat e njëjta mund ta arrijmë qëllimin tonë”, thuhet në fund të telegramit të kryesuesit Komshiq.
Kosova sot shënon 14-vjetorin e pavarësisë së saj të cilën e shpalli më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi doli nga lufta me pasoja njerëzore e materiale.
Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.aa.