Mali i Zi ka zhvilluar ditën e sotme zgjedhjet vendore në 14 komuna, qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe në orën 20:00 janë mbyllur zyrtarisht.
Ndërkohë rezultatet paraprake të zgjedhjeve pritet të komunikohen sonte gjatë natës.
Situata ka kaluar e qetë, nuk ka pasur parregullsi apo incidente nëpër qendrat e votimeve, ndërsa pjesëmarrja në votime sipas KKZ-së, paraqitet të jetë më e lartë se në zgjedhjet e fundit.
Sipas raportimeve në Komunën e Kolashinit në zgjedhjet lokale deri në orën 19:00 pjesëmarrja ishte 71,95 për qind. Në Komunën e Danilovgradit ishte 68,7 për qind. Në Komunën e Zetës ishte 72.17 për qind. Në Podgoricë, 66 për qind e votuesve të regjistruar, ose 94,700 qytetarë.
Zgjedhjet u mbajtën në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në largim e Dritan Abazoviqit humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re.
Nga 14 komuna, që janë sot në zgjedhje, nëntë janë qeverisur nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviç me partnerët në koalicion.