Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) në Maqedoninë e Veriut nga java e kaluar është në grevë të përgjithshme, duke lënë në shtëpi nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe fëmijët e çerdheve, transmeton KosovaPost.
Greva filloi të hënën e kaluar, ndërsa siç deklaroi atë ditë kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov, rreth 25 mijë të punësuar në çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme i janë bashkuar grevës.
Mësuesit dhe mësueset paraqiten në vendet e punës, por nuk i mbajnë orët e mësimit dhe kjo gjë shkaktoi huti tek prindërit në ditët e para të grevës.
Sipas paralajmërimeve të SASHK-ut, greva do të zgjasë deri në gjetjen e zgjidhjes së duhur për rritjen e pagave të punëtorëve për 18,4 për qind, përkatësisht përshtatjen e tyre me rritjen e pagës minimale, e cila me vendim qeveritar u rrit nga 15.200 në 18.000 denarë.
Dje, nga SASHK njoftuan se kanë refuzuar ofertën e qeverisë për rritje prej 10 për qind të rrogave, duke insistuar në pranimin e kërkesave të tyre.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vendimin e SASHK-ut për të refuzuar ofertën për rritjen e pagave në arsim dhe kujdesin parashkollor e vlerësoi si të dëmshëm.
“Sot fillon java e dytë që fëmijët nuk do të jenë në bankat shkollore. Me refuzimin e ofertës për rritjen e pagave për 10 për qind, SASHK-u vendosi të vazhdojë me shantazhe që janë vetëm në dëm të arsimit të nxënësve dhe ua vështirësojnë përditshmërinë prindërve”, tha Kovaçevski.
Ai gjithashtu u shpreh se qeveria po bën përpjekje serioze për të përballuar krizën, për të amortizuar rritjen e çmimeve dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për qytetarët.
Vendimi i qeverisë për të rritur vetëm rrogën minimale ka ndikuar edhe në të punësuarit tjerë në sektorin publik. Greva të pjesshme prej disa orësh, si dhe paralajmërime për greva dhe protesta ka nga më shumë sindikata, duke përfshirë sindikatat e të punësuarve në administratën shtetërore, administratën gjyqësore dhe postën. Disa prej sindikatave kanë paralajmëruar protesta për 1 maj./AA