Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas raportimeve se qindra ushtarë të FSK-së po aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë, përcjell KosovaPost.
Në një komunikatë për medie të kësaj ministrie thuhet se Republika e Gjermanisë është ndër partnerët më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe se prej vitesh Kosova ka bashkëpunim bilateral intensiv mes dy ministrive dhe forcave respektive.
Për këtë arsye, me qëllim të realizimit të planeve të përbashkëta dhe objektivave tanë, Ministri Mehaj ka relacione të ngushta dhe komunikime të rregullta me ambasadorin gjerman Jorn Rohde, për çështjet me interes që ata vlerësojnë nga pozitat zyrtare të tyre respektive.
“Dezinformata se, kinse, tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së, ka qenë temë diskutimi në takimin e tyre, është absurde, plotësisht e pavërtetë, dhe ka për qëllim dezinformimin dhe shkaktimin e konfuzionit të opinionit, qytetarëve dhe aleatëve tanë. Gjithashtu, gënjeshtra për gjoja aplikimin për vizë të qindra pjesëtarëve të FSK-së në Ambasadën Gjermane, ka qëllim për të paraqitur rrejshëm, një situatë shqetësuese dhe gjoja nivel të lartë demotivimi në radhët e pjesëtarëve të FSK-së”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se moralin e lartë të pjesëtarëve të FSK-së e konfirmon më së miri angazhimi, përkushtimi, si dhe sukseset me rezultate shumë të larta në shkollime, stërvitje e operacione të pandërprera.
“Rritja e pagave si dhe përmirësimi i kushteve të arsimimit, stërvitjeve, akomodimit, transportit, ushqimit, si dhe përkujdesjes dhe sigurimeve shëndetësore janë preokupimi kryesor aktual i Ministrisë së Mbrojtjes, krahas zhvillimit dhe avancimit sa më të madh të aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së për përmbushjen e plotë të misionit kushtetues dhe detyrave ligjore”, përfundon komunikata.