“Bota po i zhgënjen njerëzit me demencë dhe kjo na dëmton të gjithëve”, ka thënë shefi i OBSH-së, transmeton Kosova Post.
Më shumë se 55 milionë njerëz në gjithë botën jetojnë me demencë, e cila aktualisht është e pashërueshme dhe shpesh neglizhohet, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke paralajmëruar se numri mund të rritet në 78 milionë deri në vitin 2030, shkruan AA.
OBSH publikoi raportin e saj të gjendjes globale mbi reagimin e shëndetit publik ndaj demencës, duke shqyrtuar përparimin e arritur drejt objektivave globale të vitit 2025 për demencën të përcaktuara nga Plani i Veprimit Global i OBSH-së për Demencën nga Viti 2017.
“Demenca u rrëmben kujtimet, pavarësinë dhe dinjitetin miliona njerëzve, por gjithashtu na privon ne nga njerëzit që njohim dhe i duam”, ka thënë Tedros Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.
“Bota po i zhgënjen njerëzit me demencë dhe kjo na dëmton të gjithëve. Katër vjet më parë, qeveritë ranë dakord për një grup të qartë objektivash për të përmirësuar kujdesin ndaj demencës”, ka shtuar ai.
Demenca shkaktohet nga sëmundje dhe lëndime të ndryshme që prekin trurin, si sëmundja e Alzheimer-it ose goditjet në tru, thotë OBSH, duke shtuar se më shumë se 60 për qind e personave me demencë jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Deri në vitin 2030, numri i njerëzve që jetojnë me demencë pritet të rritet në 78 milionë, paralajmëroi OBSH.
“Demenca prek kryesisht njerëzit e moshuar, por nuk është pjesë normale ose e pashmangshme e plakjes biologjike. Ky është një mesazh që duam ta dërgojmë shumë fuqishëm”, ka thënë nga ana tjetër Katrin Seeher nga Departamenti i Shëndetit Mendor dhe Përdorimit të Substancave pranë OBSH-së.
Demenca mund të sulmojë edhe njerëzit nën 65 vjeç
“Mund të ndodhë edhe tek njerëzit që janë më të rinj se 65 vjeç. Në atë rast, ne flasim për demencë të re. Dhe kjo përqindje është afërsisht 10 për qind e të gjitha rasteve të demencës. Pra, nuk është problem vetëm i popullsisë më të vjetër”, thuhet më tej.
Tarun Dua, shefja e njësisë e Departamentit të Shëndetit Mendor dhe Përdorimit të Substancave, ka deklaruar se ndërsa ende nuk ka shërim për demencën, masat mund të ndihmojnë në parandalimin e saj.
Ajo përmendi përdorimin e duhanit ose alkoolit të dëmshëm si faktorë që mund të kontribuojnë në demencë, duke theksuar se menaxhimi i çrregullimeve si hipertensioni, diabeti, depresioni dhe izolimi social mund të ndihmojnë në frenimin e tij.
“Ajo që mendoni se është e mirë për zemrën tuaj është gjithashtu e mirë për trurin tuaj. Dhe ne duhet të përfshijmë ato stile jetese të shëndetshme për të zvogëluar ata faktorë rreziku, dhe kështu, ne mund të zvogëlojmë rrezikun e të pasurit demencë”, tha Dua.
Sipas raportit të OBSH-së, vetëm një e katërta e vendeve në mbarë botën kanë politikë ose plan kombëtar për të mbështetur njerëzit me demencë dhe familjet e tyre.
Gjysma e këtyre vendeve janë në rajonin evropian të OBSH-së, kurse pjesa e mbetur në rajone të tjera.
Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që jetojnë me demencë po rritet dhe OBSH vlerëson se 8,1 për qind e grave dhe 5,4 për qind e burrave mbi 65 vjeç jetojnë me demencë. Ky numër vlerësohet të rritet në 78 milionë deri në vitin 2030 dhe 139 milionë deri në vitin 2050.