Presidenti ende në detyrë i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryeministri socialist, Edi Rama, duket se ndajnë këndëvështrime diametralisht të kundërta, sa i përket “Ballkanit të Hapur”.
Presidenti Ilir Meta, nga Bakuja ku merr pjesë në sesionin e Forumit IX Global me temë për “Një Evropë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur kundër “Ballkanit të Hapur”, duke arsyetuar, sipas tij, se duhet të fokusuar në zbatimin e “Procesit të Berlinit”.
“Bashkimi Evropian nuk mund të jetë as më i fortë dhe as më i madh në arenën ndërkombëtare, pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne e konsiderojmë mekanizmin e “Procesit të Berlinit”, si katalizatorin kryesor të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të përqendrohemi në zbatimin pa vonesë të “Procesit të Berlinit” dhe të mos shpërqendrohemi, si dhe të mos ngatërrohemi nga qasjet alternative paralele jo gjithëpërfshirëse. Pse “Procesin e Berlinit”? Sepse “Procesi i Berlinit” mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri”, tha Meta.
Duke marrë shkas nga kundërshtitë e theksuara që ka ndaj “Ballkanit të Hapur” vetëm kryeministri kosovar, Albin Kurti, zoti Meta arsyeton se “Procesin e Berlinit” e mbështesin të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa “Ballkanin e Hapur” jo të gjithë.
“Të 6 vendet janë pjesë dhe e mbështesin plotësisht këtë proces. Vetëm disa liderë mbështesin alternativën e “Ballkanit të Hapur”! Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në. “Ballkani i Hapur” jo! “Procesi i Berlinit” ka instrumente financiare për të mbështetur projektet e lidhjes. “Ballkani i Hapur” jo! “Procesi i Berlinit” fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare. “Ballkani i Hapur” paraqitet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, duke e tjetërsuar rajonin si një komunitet politik hibrid. “Procesi i Berlinit” përmban 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në tryezën politike të Bashkimit Evropian”, tha Meta./rtsh