“Ne duhet të investojmë më shumë në sovranitetin tonë. Kjo luftë na hapi sytë”, ka thënë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel për gazetën gjermane “Zeit”.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e ka zgjuar Evropën, tha të dielën Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ndërsa bëri thirrje për investime më të mëdha në industrinë e mbrojtjes të rajonit.
Lufta në Ukrainë e ka bërë të qartë se cilat janë varësitë e Evropës, tha Michel për gazetën gjermane “Zeit”.
Duke theksuar se megjithëse Bashkimi Evropian (BE) nuk është në luftë me Rusinë, ai tha se Ukraina është një partner i ngushtë dhe mik i BE-së.
Kjo është arsyeja pse blloku po e ndihmon Ukrainën në shumë mënyra, tha ai.
Megjithatë, BE-ja do të vazhdojë të përpiqet të mbajë të hapura kanalet e komunikimitme Rusinë, shtoi Michel.
Duke folur për 450 milionë eurot (491,5 milionë dollarë) që BE-ja ka vënë në dispozicion për furnizimin e Ukrainës me armë, Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se ata e mbështesin rezistencën e Ukrainës kundër pushtimit.
“Kjo është një situatë shumë e vështirë. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është gjithashtu një partner i ngushtë i BE-së. Ne kemi një marrëveshje partneriteti. Rusia zgjodhi fillimin e një lufte brutale kundër vendit që shumë vite më parë mori rrugën evropiane “,- komentoi Michel.
Duke konfirmuar se BE-ja nuk do të luaj një rol në furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë me këto 450 milionë euro, Michel saktësoi: “Ne nuk do të blejmë avionë luftarakë”.
Michel vuri në dukje gjithashtu se blloku duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e Evropës pasi siguria dhe paqja e saj janë nën kërcënim.trt.