Ministri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka bërë të ditur sot në rrjetin e tij social, Facebook se është angazhuar për një strategji të Bujqësisë, misioni i së cilës është transformimi dhe sektorin e ekonomisë agro-rurale duke e bërë atë gjithëpërfshirëse, shkruan KosovaPost.net.
Ministri Peci ka theksuar se kjo strategji nuk është bërë asnjëherë më parë. Gjithashtu ai theksoi se kjo është dëshmi e tyre për të avancuar me Bujqësinë.
Postimi i plotë:
“Është Strategjia e parë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në historinë e Ministrisë së Bujqësisë. E këtë Strategji e adresuam vetëm pas 9 muajsh qeverisje. Kjo është një nga dëshmitë e vullnetit tonë për ta avancuar sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Sektori i Bujqësisë kërkon vepra dhe synime të qarta andaj Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është themeli në të cilin do të bazohemi për të krijuar politikat e duhura në avancim të sektorit të bujqësise dhe zhvillimit rural.
Potenciali i vërtetë i zhvillimit të bujqësisë në Kosovë është ende i pa-shfrytëzuar e misioni i Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është që ta transformojë sektorin e ekonomisë agro-rurale duke e bërë atë gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme si dhe të konkurrueshme si brenda tregut vendor ashtu edhe jashtë.
Kjo Strategji lidhet ngushtë me 17 objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian si dhe përafrimin me CAP apo Politikat e Përbashkëta Bujqësore si dhe shërben si një pikë referuese mes Qeverisë, MBPZHR-së dhe palëve të interesit; fermerë, shoqata të fermerëve, grupe të prodhuesve e përpunuesve si dhe banorët e zonave rurale; për zhvillimin e bujqësisë dhe zonat rurale të Republikës së Kosovës.
Poashtu kjo Strategji do të jetë si pikë referuese edhe për BE dhe Instrumentin e Para-Anëtarësimit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (IPARD) dhe donator të tjerë që mbështesin sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
MBPZHR përmes kësaj strategjie tanimë i ka të qarta objektivat e saj që i kontribuojnë zhvillimit të sektorit të bujqësisë.
Funksionimi pa strategji ka sjellë rezultate jo të kënaqshme sepse nuk mund të nisësh rrugëtimin në drejtim të panjohur, pa hartë a udhëzim të caktuar.
SBZHR është harta nëpër të cilën do bazohen programet tona zhvillimore, si Programi i Pagesave Direkte – Subvencioneve edhe Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.”, ka shkruar Peci