Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Haga ka shkruar për masakrat e kryera nga serbët në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës 23 vjet më parë, shkruan KosovaPost.
Haxhiu e cila shkoi në qytetin holandez për t’i takuar ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale – thotë se “bota duhet të dijë sërish, se krimineIët ishin në anën e Serbisë”.
Postimi i plotë:
23 vjet më parë, Kosova po përjetonte një gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile. Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare.
Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim.
Në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.
Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë.
Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës.
Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë.