Minsitrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar nga detyra, Lulzim Krasniqin, Konsull i Republikës së Kosovës New York, përcjell KosovaPost.
Përmes një letre që Krasniqi i ka dërguar Gërvallës, ka thënë se njoftimin e ka marrë përmes emailit nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, Behar Isma, përmes së cilit i është bërë e ditur se marrëdhënia e punës me MPJD-në ka mbaruar më 30 qershor 2022.
Krasniqi ka thënë se vendimi i Gërvallës është kundërligjor dhe i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm.
“Faleminderit për sqarimin, edhe pse do të ishte mirë sikur këtë të ma kishit bërë të ditur ditën kur e pranova vendimin (më 30 qershor), meqë obligimet e shumta që kam këtu, nuk përmbyllen kaq thjesht, siç mendoni ju. Vendimi juaj është i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha është kundërligjor”, shkruan letra.
Tutje tha se me këtë vendim, ministrja Gërvalla ka mbyllur të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, kur këto ditë kërkesat e shqiptarëve për shërbime arrijnë kulmin.
“Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju”, shprehet ai në letër.
Sipas tij, Gërvalla kishte urdhëruar largimin flamurit të UÇK-së nga Konsullata.
“Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës”.
Gërvalla, flamurin e UÇK-së e kishte quajur “flamur me simbole”.
“Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve. E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”.