Atje ku ka ushtar rus, ka paqe, tha diplomati rus Aleksandër Grushko, pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili vuri në dyshim qëllimin e ndihmës së CSTO-së për Kazakistanin, duke kujtuar kështu “ndihmën” e Perëndimit në Jugosllavi, Siri dhe Libi, transmeton Kosova Post.
Kujtojmë se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka shprehur shqetësim serioz për ngjarjet në Kazakistan dje. Diplomati tha se ndihma e CSTO “ngjall kujtime të situatave që duhen shmangur”.
“Ai ka të drejtë, ne duhet të shmangim situatat e ofrimit të ndihmës ushtarake, si bombardimet humanitare të Jugosllavisë, pushtimi i Irakut, operacionet në Libi dhe përpjekjet për të copëtuar Sirinë,” tha Grushko.
Ai shtoi se do të ishte mirë që Perëndimi ta pranoj atë që shihet qartë, se Rusia i ndaloi konfliktet dhe hapi rrugën e një zgjidhjeje paqësore politike.
“Aty ku ka një ushtar rus, ka paqe”, tha Grushko, duke shtuar se Borell, në deklaratën e tij, padyshim kishte parasysh domosdoshmërinë e moslejimit të vendimit për vendosjen e misionit të BE-së në Ukrainë.
“Çdo ndihmë ndaj atij regjimi që në mënyrë të rëndë dhe pa asnjë ndëshkim shkel detyrimet e tij në drejtim të rregullimit të konfliktit të brendshëm ukrainas duhet të ndalet menjëherë”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Grushko tha se Moska është e bindur se Kazakistani do të përballet me situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi dhe se Rusia dhe CSTO ofrojnë mbështetje ashtu siç duhet të bëjnë aleatët.
“Ne jemi të bindur se aleatët dhe miqtë tanë kazak do të merren me problemet që janë shfaqur. Kështu do të jetë. Rusia dhe vendet e CSTO po zgjasin dorën, gjë që duhet ta bëjnë aleatët”, tha diplomati rus, shkruan sputnik.
Kujtojmë se protestat shpërthyen në Kazakistan më 2 janar për shkak të rritjes drastike të çmimit të gazit, por më pas demonstratat u kthyen në trazira, prandaj presidenti Kasim-Zhomrat Tokayev iu drejtua për ndihmë CSTO-së, të cilën organizata e pranoi dhe dërgoi një kontingjent paqeruajtës./Kosova Post.