Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka konfirmuar se ministrja Donika Gërvalla është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Athinë të Greqisë.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se kryediplomatja e Kosovës do të takohet me homologun e saj, Nikos Dendias.
Tutje, shkruhet se fokus i kësaj vizite është thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes të dy shteteve.
“Ministrja gjatë qëndrimit në Greqi do të zhvillojë takime edhe me diplomatë dhe me komunitetin e biznesit për të inkurajuar avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të promovuar ofertën kosovare për investitorët e huaj”.
“Gërvalla gjithashtu do të ketë në fokus gjatë takimeve të saja forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, kulturës, por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.