Ministria e Shëndetësisë (MSh), nëpërmjet një thirrjeje publike, iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë edhe ditët e vikendit për t’u vaksinuar meqenëse të gjitha qendrat e vaksinimit punojnë edhe në fundjavë, transmeton Kosova Post.
Thirrja u adresohet qytetarëve që të caktojnë terminë për marrje të vaksinës, me që ka itinerare të lira, përfshirë edhe ditët e fundjavës në të gjitha qendrat e vaksinimit në komunat e Kosovës.
Sipas vendimeve të mëhershme të MSh, në Kosovë mund të vaksinohen personat e moshës mbi 16 vjeç si dhe fëmijët e moshës 12-15 vjeçe me indikacione mjekësore, këta të fundit me vaksinën PfizerBioNTech.
Duke u bërë thirrje që krahas vaksinimit të zbatohen masat në fuqi kundër COVID-19, MSh rithekson rëndësinë e vaksinimit si mënyrën më efikase për të parandaluar përhapjen e mëtejme të COVID-19 dhe për të evituar shtrimet e qytetarëve të tjerë në spitale nga format e rënda të COVID-19 dhe për të ulur numrin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19.
Deri më sot 412.523 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./KosovaPost/