Mbrëmë në “Rubikon”, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur pyetjeve të Adriatik Kelmendit në lidhje me zhvillimet aktuale në vendin tonë. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për gjendjen e pandemisë, transmeton Kosovapost.
Duke folur me gjuhën e një opozitari, ai ka kritikuar disa momente të ndjeshme dhe ka përshkruar gjendjen në mënyrën më të trishtuar.
Kryetari i LDK-së nuk ka hezituar ta quaj Kosovën vendi me përqindjen më të lartë në botë me vdekje nga koronavirusi. Sipas asaj që tha, Kosova paraqet një rrezik potencial që të infektojë edhe vendet tjera. Duke harruar se pandemia ka filluar të përhapet serish me të madhe nëpër shumë vende të botës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Mustafë Bajramit i cili e ka cilësuar Abdixhikun një politikan amater dhe i cili po dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sipas Bajramit, qasja e kryetarit të LDK-së sot është e njëjtë sikur dikur njerëz të caktuar e patën shpallë Kosovën vend me përqindjen më të lartë të pjesëmarrësve në luftë në Siri dhe kështu Kosova u pat prezantuar para botës si çerdhe e radikalistëve dhe ekstremistëve muslimanë.
“Si është e mundur që një kryetar partie në Kosovë të dalë para kamerave televizive dhe ta përsërisë radhazi se Kosova është vend me rrezikshmëri të lartë” , ka pyetur Bajrami.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Bajramit në llogarinë e tij në Facebook:
Me gjithë faktin se pandemia në Kosovë ka arritur përmasa shqetësuese, si për nga numri i të infektuarve dhe të vdekurve, si për nga atmosfera e frikshme që është krijuar për shkak të pandemisë, sulmet e opozitës ndaj qeverisë duke përdorur pandeminë si levë e si mjet për ta dobësuar imazhin e Qeverisë, s’do mend se Kosovën po e dëmtojnë në arenën ndërkombëtare po aq (nëse jo më shumë) sa atëherë kur një grusht njerëzish u patën ngritë në këmbë dhe bërtitnin e shkruanin sahat e dakik se radikalizmi dhe ekstremizmi islamik në Kosovë është ndër më të përhapurit në botë. Dhe kështu, me vetëdije apo pa të, e prezantuan Kosovën si çerdhe e terroristëve. Më pastaj, Kosovës iu dashen vite të tëra për ta riparuar imazhin e saj para botës, dhe për të argumentuar se Kosova nuk është çerdhe e terroristëve, por është një vend sikur të gjitha vendet tjera.
Sikur atëherë që kam besuar se Kosova nuk ka qenë ashtu, por ekzagjerohej nuk di për çfarë arsye(!), njëjtë edhe sot besoj, siç dihet botërisht, se Kosova nuk është ashtu. Sepse pandemia ka marrë dhen dhe është përhapur sërish me të madhe edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Ndër to, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia e disa vende tjera të fuqishme.
Çuditem se si një kryetar partie (Lumir Abdixhiku i LDK-së), që ka një sfond intelektual e akademik, bile edhe mësimdhënës në nivele të larta arsimore, del para kamerave televizive dhe vazhdimisht e thotë se Kosova është e para në botë për nga përqindja me të infektuar nga koronavirusi. Ai po do me i thënë botës se Kosova është vendi më i rrezikshëm për tu vizituar, e banorët e saj janë njerëzit bartës të rrezikshmërisë më të madhe në botë për t’i infektuar qytetarët e vendeve tjera.
Çfarë gjuhë a-politike e një kryetari të një partie politike në Kosovë?! Çfarë amaterizmi i skajshëm, nëse jo qëllim i errët i tij?! Si është e mundur të përbihet ky “lapsus” kaq i madh i një kryetari të një partie kaq të madhe në Kosovë?!
Zbuteni gjuhën o ju përgjegjës para ligjit e para interesit të vendit! Ju kështu po e dëmtoni Kosovën, jo Vetëvendosjen. Me gjuhën tuaj po dëshmoni se Kosova është bërë vend i rrezikshëm, njëjtë sikur e patën shpallë dikur! Ju po gaboni kur po mendoni se do t’i bindni votuesit kosovarë se ju kinse jeni më të mirë, e Qeveria paskësh dështuar në menaxhimin e vendit.
Po ju them troç: Kanë për të kaluar edhe shumë vite deri sa t’i bindni qytetarët në atë që ju po shpresoni. Prandaj, zgjidhini llafet e mos e dëmtoni vendin. Mos i dëmtoni qytetarët të cilët edhe ashtu kanë mbetur të ngujuar brenda kufijve e nuk po mundin të lëvizin. Pikërisht për shkak të politikave të juaja të deritanishme…!