Muzeu i iluzioneve, një vend ku njeriu i nënshtrohet magjisë

Muzeu i iluzioneve, një vend ku njeriu i nënshtrohet magjisë

Iluzioni, si diçka që shtrembëron shqisat dhe paraqet në mënyrë të rremë realitetin, vazhdimisht i nënshtrohet magjisë njerëzore.

Kjo nevojë dhe dëshirë e njeriut, për të gjetur veten në një vend ku iluzioni njerëzor bëhet realitet dhe ku për një moment “shpëton” nga kufijtë e realitetit, ishin disa prej motiveve që në Shkup të hapet “Ilusium” – Muzeu i iluzioneve, transmeton Kosova Post.

Bllagica Iliq, koordinatore për marrëdhëniet me publikun në Muzeun e iluzioneve, në një prononcim bën të ditur se ky muze në Shkup u hap në qershor të këtij viti, pasi disa entuziastë, të cilët pas vizitës së tyre në muze të këtillë të ngjashëm nëpër Evropë, erdhën deri në idenë që edhe kryeqyteti i Maqedonisë të ketë diçka që kanë edhe qytetet tjera evropiane.

Siç shpjegon Iliq, në ditë mbi 100 persona vizitojnë muzeun, ndërsa atë që e thekson si më të rëndësishme për ta është kënaqësia e vizitorëve. Sipas saj, vizitorët dalin nga muzeu të lumtur dhe të qeshur, sepse Muzeu i iluzioneve ofron argëtim dhe përvojë të pazakontë përmes më shumë se 20 përmbajtjeve kreative.

Në ambientet e muzeut “Ilusium” organizohen më shumë ngjarje, përfshirë vizitat e shkollave dhe ato grupore, festime ditëlindjesh, ngjarje për çiftet e sapomartuar, sesione fotografish si dhe ngjarje tjera të karakterit argëtues dhe edukativ, duke marrë parasysh se hapësira është e pazakontë dhe mundëson përmbajtje të ndryshme.

Muzeu është i shpërndarë në mbi 500 metra katrorë. Në katin e parë ka një bar-kafe me suvenire. Këtu zakonisht të rinjtë kanë mundësinë për aktivitete mendore përmes zgjidhjes së rubikonit të drurit, përderisa presin hyrjen në muze apo pas vizitës së tij.

“Kemi përmbajtje të ndryshme nga pasqyrë të dyfishtë ku krijohen figura të reja, duke qëndruar kundrejt njëri-tjetrit krijohet një figurë e re, pastaj një karrige iluzioniste abstrakte, ku përmes fotografisë përjeton historinë, vet e krijon iluzionin. Pastaj kemi një galeri me më shumë se 50 fotografi ku tregohen iluzione gjeometrike, halucionogjene, njohëse… gjeni figura, figura të dyfishta, ato janë imazhe të perceptimeve të dyfishta, oda me pasqyra ku hyni i vetëm dhe shumëfishoheni disa herë më shumë”, shpjegon Iliq.

Në nivelin e dytë të muzeut, ajo është pajisur me piktura 3D, ku ka përmbajtje të ndryshme.