Liburn Aliu, Ministër i Infrastrukturës, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për këto ndryshime të nevojshme infrastrukturore, transmeton Kosova Post.
Bëhet fjalë për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, si dhe për normalizimin e hapësirës ajore.
“Kemi kënaqësinë që sot në këtë konferencë të flasim për projektin e zgjatjes së pistës në Aeroportin e Prishtinës, dhe po ashtu për normalizimin e hapësirës ajrore. Ky është projekt i veçantë dhe ka rendësi të jashtëzakonshme për Aeroportin e Prishtinës” – tha Ministri Aliu ndër të tjera.
Projekti, sipas tij, parasheh zgjatjen e pistës nga 2500 metra sa është aktualisht, në 3500 metra. Kjo zgjatje, sipas tij, do të përcillet me infrastrukturën e nevojshme përcjellëse.
Sipas Aliut, kjo e kategorizon aeroportin në një shkallë më të lartë në hierarkinë ndërkombëtare, duke qenë se e ngritë cilësinë e shërbimeve.
Aliu po ashtu shtoi se autoritetet e Kosovës kanë bashkëpunuar ngushtë me NATO-n, KFOR-it dhe Bashkimit Evropian (BE) “dhe organizatat ndërkombëtare të aviacionit dhe palët në rajon për normalizim”. /KosovaPost/