Zajçeci, fshati i bukur në malet e Dardanës, me peizazhin e veçantë e mahnitës, në pak minuta arrin ta bëjë për vete secilin që vë këmbën aty qoftë si kalimtar apo vizitor.
I njohur dhe me emrin Qafëmali pas vitit 1999, bukuria e këtij fshati e fshehur në male sikurse shumica e fshtrave të Kosovës të risjellë në kujtesë poemën “Bagëti e Bujqësi” të shkruar nga shkrimtari shqiptar Naim Frashëri, e cila është botuar për herë të parë në Bukuresht më 1886, dhe të ngjason sikur Naimi përfytyroi këtë pamje kur shkroi vargjet e famshme që simbolizojnë jetën dhe natyrën shqiptare.
Zajçeci, fshati që kufizohet me fshatrat e komunës së Medvegjës dhe shumë tregime e histori të ndjekjeve e betejave të përgjakshme që janë zhvilluar përreth tij në luftë me serbët për të mbrojtur territorin.
Fshati Zajçec, së fundi ka marrë profil turistik me iniciativë të vetë komunitetit, të cilët kanë nisur të jetësojnë projekte biznesore në agrokulturë duke ringjallur kështu edhe vet fshatin e vdekur pas ikjes së banoreve, veçanërisht në periudhën e pasluftës.
Dikur fshat me 70 shtëpi të banuara, tani vetëm tetë familje jetojnë në të.
Si shumë fshatra tjera të Kosovës edhe ky fshat mbeti i heshtur, derisa pak banorë zgjedhën të vazhdojnë jetën në këtë fshat, e të tjerë në mungesë të perspektivës janë shpërngulur drejt qytetit dhe të tjera kanë migruar.
Infrastruktura rrugore viteve të fundit ka nisur të përmirësohet, por banorët kanë ende ankesa. Ka rrugë të cilat akoma nuk janë të asfaltuara dhe kjo ia vështirëson edhe më tej jetën atyre pak banorëve që kanë mbetur në këtë fshat, apo të tjerëve që duan të kthehen.
Këtë fshat të thellë malor po e mbanë gjallë bujqësia dhe blegtoria, si dhe iniciativat e pak banorëve për ta kthyer fshatin në atraksion turistik përmes shtëpizave për pushime që po ndërtohen në mes të natyrës shumë gjallëruese të Zajçecit, pemishteve e fermave të bagëtive…
Megjithëkëtë, banorët shprehën se kanë nevojë për përkrahje nga qeveria që të zhvillojnë iniciativat e tyre dhe të rikthehet gjallëria në fshat, sidomos sa i përket infrastrukturës rrugore dhe sigurimit të tregut në të cilin më shumë u jepet hapësirë prodhimeve të vendeve të rajonit sesa atyre vendore.
Pemishtja me mollë që ndanë Kosovën dhe Serbinë
Tash e tetë vite është ngritur një pemishte në shpat të fshatit Zajçec dhe është më e madhja në rajonin e Gollakut. Pronari i kësaj pemishte, Islam Veliaj tregon për “Zërin” se si në kohën e fëmijërisë kishte gjallëri e zhurmë në fshat, por sot gjithçka ka ndryshuar.
“Kur kam qenë fëmijë në këtë kohë kishte shumë njerëz, të cilët mbanin dele, buallica e lopë. Ka pasur shumë zhurmë dhe gjallëri në rrugët e fshatit, tash të gjitha këto janë vetëm në imagjinatë”, përshkruan Veliaj dikur fshatin e tij.
Tani ai shpreh shqetësimin për braktisjen e fshatit. Por, mban shpresë se gjendja do të ndryshojë për të mirë, duke treguar iniciativat dhe investimet e disa banorëve që të shfrytëzojnë pronën e tyre dhe pamjen piktoreske të fshatit për të nisur biznes e gjallëruar fshatin.
Ai thotë se pemishten e kishte ngritur spontanisht duke menduar që mollët janë produktive dhe do t’i sjellin përfitime.
“Që tetë vite kemi nisur fillimisht me 2 hektarë, ndërsa që gjashtë vite jemi zgjeruar dhe janë 13 hektarë, kjo ka filluar si spontanisht pasi mollët kemi menduar se janë më produktive, pastaj kemi rënë në kontakt edhe me një investitor gjerman, të cilët ndihmojnë më shumë me ekspertizën e pemishtes ku tash e 5 vite kemi vetëm investime”, thotë Velijaj.
Shteti nuk i ka ndihmuar aq sa duhet këto biznese, që sipas Velijajt duhet të jenë prioritet pasi gjenden në zonat kufitare dhe në rast se nuk bëhet diçka, ai thotë se nuk mund të vazhdohet.
“Dy grante i kanë marrë nga Ministria e Bujqësisë, por këto nuk janë të mjaftueshme pasi ne jemi edhe zonë kufitare dhe duhet shteti të ketë prioritet investimet në këto zona sepse pa përkrahje nuk mund të vazhdohet”, thotë ai, duke shtuar se pemishtja është e ngritur në bashkëpunim me një gjerman i cili ka ndihmuar në ekspertizë dhe në arritje të cilësisë, por mbetet problem tregu i cili siç thotë ai, po konkurrohet nga shtet e rajonit.
“Tregu vendor nuk është edhe aq i favorshëm pasi fermerët nga rajoni po konkurrojnë ata vendor, ka pasur tentime që shkollave të ju shiten ne mënyrë që të shpërndahen tek nxënësit, por nuk ka pasur sukses. Konkurrenca nuk është nga brenda, por nga jashtë. Problem puna e tregut, te cilësia nuk është problem sepse tashmë kemi arritur. Këtë vit presim që të kemi 400 tonë prodhim dhe kjo të rritet çdo vit, për këtë shteti duhet të përkrah prodhuesit vendor. Tregu është problem por që Qeveria duhet të bëjë diçka”, thotë Velijaj.
Ai thekson se kushti bazë për të rikthyer jetën në këtë fshat janë rrugët në të cilat duhet të investohet.
Katër vëllezërit Rashiti e lan Prishtinën për Zajçecin
Katër vëllezërit Rashiti kanë lënë Prishtinën dhe nga viti 2007 janë kthyer në Zajçec, ku kanë nisur jetën e re, që të katërtit merren me blegtori, por rruga që çon tek shtëpitë dhe fermat e tyre është mjaft e vështirë pasi është e pa asfaltuar.
Tahir Rashiti tregon për “Zërin” se jetojnë mirë tash me bizneset që kanë nisur, mirëpo sërish vështirësitë janë të pashmangshme në shitjen e produktit. Ai thotë se tregu për të shitur qumështin po ju nxjerrë telashe.
“Nga viti 2007 jemi kthyer bashkë me katër vëllezërit dhe secili ka fermën e tij, ku tre prej neve kemi ferma të lopëve dhe një vëlla tjetër ka të deleve dhe me bletë. Nuk është keq, por ishte më mirë kur një qumështore vinte dhe merrte qumështin, por nga janari tash po merremi vetëm me shitjen e viçave”, tregon Rashiti.
Ai pret që të ketë më shumë mbështetje nga shteti sepse sektori i bujqësisë nuk është i lehtë.
“Mbështetje nga komuna këto vitet e fundit nuk ka qenë keq, kemi përfituar disa pajisje dhe kemi pasur subvencione nga Ministria e Bujqësisë për gjedhe ku vitin e kaluar i kanë rritur nga 140 euro, ndërsa këtë vit s’kemi marrë asgjë akoma. Bujqësia e lehtë nuk është, por unë e dua këtë punë dhe e bëjë me qejf”, rrëfen ai për “Zërin”.
Ashtu si pronari i pemishtes Velijaj edhe vëllezërit Rashiti, tregojnë se kohët e fundit banorët të cilët ishin larguar, kanë filluar të ndërtojnë shtëpi në fshat, por ato po përdorën vetëm për të kaluar disa ditë pushime në natyrën e bukur që ofron fshati./ Zëri