Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka reaguar ndaj sulmit ndaj mjekut në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.
Ata janë shprehur të zhgënjyer ndaj këtij sulmi, me ç`rast thonë se mjeku është bërë viktima e përhershme e sulmeve serike.
“Oda e Mjekëve të Kosovës me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar lajmin e sulmit ndaj kolegut i cili u sulmua dje në hapësirat e vendit të punës përkatësisht në QKMF-në e Istogut. Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur”.
“Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme. Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menagjeriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë janë bërë fenomen ditor”, thuhet në reagimin e Odës së Mjekëve.
Kjo odë i ka kërkuar prokurorisë dhe gjykatës që të ndërmarrin veprimet ndaj këtyre sulmeve.