Një votim i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratoi me mazhorancë të madhe një rezolutë që kërkon ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e Rusisë, veçanërisht të sulmeve ndaj civilëve”, si dhe aksesin e personelit mjekësor dhe të gazetarëve në zonën e luftës.
Në votim, 140 vende votuan pro rezolutës, ndër to edhe Shqipëria dhe vendet perëndimore, por edhe Serbia, ndërkohë 38 abstenuan, ndër to edhe Kina, dhe 5 votuan kundër, të njëjtat e rezolutës fillestare kundër këtij konflikti: Rusia, Siria, Bjellorusia, Eritrea dhe Koreja e Veriut.
Të abstenuarit ishin tre më shumë, ndërkohë që vendet “pro” ranë me një votë.
Ndërkohë, pikërisht pozicioni i Kinës, ishte teme me shumë interes, sepse Pekini zyrtar duket i vetmi vend që mund të ndalojë vullnetin e Vladimir Putin për luftë.
Por në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme në OKB, ambasadori kinez Zhang Jun, pati fjalë që përfaqësuan disi një “dush të ftohtë” për shpresat për paqe, edhe pse të ëmbëlsuara nga gjuha diplomatike.
Kina i thotë SHBA-së se konflikti nuk është në interes të askujt
“Zhvillimet ne Ukrainë kanë shkaktuar reagime të shumta të shqetësuara, diçka që Kina nuk dëshiron të shohë. Për Ukrainën, Kina ka mbajtur qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo vendi duhet respektuar”, deklaroi fillimisht ai, duke shtuar më pas se “shtetet nuk duhet të shtrëngojnë të tjerët për të zgjedhur një palë në këtë konflikt. Vendet e zhvilluara nuk janë pjesë e këtij konflikti dhe nuk duhet të futen në këtë çështje, për mos të vuajtur pasojat e mundshme të këtij konflikti. Vendet e rëndësishme nuk duhet të kenë një qasje të tipit o me mua, o kundër meje, prioriteti ynë është të shmangim viktimat civile, dhe të mundohemi për të negociuar një armëpushim”./A2