Një organ i lartë fetar në Donbas, rajon i cili kontrollohet nga separatistët në kufirin lindor të Ukrainës me Rusinë, ka përshëndetur rolin e Turqisë në zgjidhjen e konfliktit midis Kievit dhe Moskës, përcjell KosovaPost.
“Më vjen mirë që në Olimpin politik, udhëheqja e lartë e Turqisë dhe Ukrainës ka një dialog dhe synon ta zhvillojë këtë dialog. Turqia është e gatshme të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës… Unë kam respekt të madh për (Presidentin turk Recep Tayyip) Erdoğan, e vërej urtësinë (e tij)”, tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA) Vladimir Zubenko, kreu i Këshillit Ndërfetar të Kishave në qytetin Kramatorsk, i cili përfshin mbi 20 kisha dhe gjashtë besime të ndryshme të krishtera.
Zubenko, 58 vjeç, i cili ka qenë pastor për gati 30 vjet, theksoi se Turqia është “një vend mjaft me ndikim”.
Duke theksuar se përkrah zhvillimin e marrëdhënieve “në drejtimin e duhur” edhe me Rusinë, Zubenko tha: “Ne nuk kemi armiq parimorë me të cilët nuk jemi kurrë të gatshëm të kemi marrëdhënie. Koha do të kalojë dhe jam i sigurt se ne mund të kemi komunikim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në të ardhmen (me Rusinë)”.
“Të paktën kisha beson në këtë, ne kemi vëllezër besimtarë në Rusi me të cilët kemi marrëdhënie”, shtoi ai.
– Roli i Turqisë
“Roli i Turqisë është mjaft domethënës. Për mua, personalisht, roli i Turqisë është shumë i dukshëm, madje shumë më tepër se i disa vendeve evropiane. Turqia është një vend i fuqishëm, është anëtare e NATO-s dhe ka një peshë të konsiderueshme në botën muslimane”, tha ai.
Javën e kaluar, Erdoğan përsëriti se është i gatshëm të presë liderët e Rusisë dhe Ukrainës për të “hapur rrugën e rivendosjes së paqes” pasi tensionet midis dy vendeve tregojnë pak shenja të zbutjes.
Duke i uruar “paqe dhe prosperitet” Ukrainës dhe Turqisë, Zubenko tha se me vullnetin e Zotit të dy kombet do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Po, Turqia, në të kaluarën Perandoria Osmane, nën ata liderë që ishin atëherë, nuk ishte vetëm me ndikim, por ishte shteti apo perandoria numër një në glob dhe pati një ndikim serioz në gjithçka, duke përfshirë disa aspekte kulturore. Sot, ne shohim se Turqia nuk e ka humbur ndikimin apo dominimin e saj të plotë në Olimpin politik”, tha pastori.
Zubenko nënvizoi se edhe pse sot ka vende të tjera që janë bërë “të preferuarat”, “por Turqia mbetet … një shtet i fortë i njerëzve të urtë”.
Duke kujtuar luftën rreth tetë vjet më parë, Zubenko vuri në dukje se viti 2014 në Kramatorsk, qytet në pjesën veriore të Oblastit të Donetskut, ishte një “vit i paqëndrueshëm” pasi qyteti ishte i pushtuar nga separatistët pro-rusë.
“Nuk jam ekspert politik… kam shërbyer dikur në ushtri dhe mendoj se kontingjenti që është në vijën kufitare është i pamjaftueshëm për një pushtim të suksesshëm në thellësi të vendit, veçanërisht nga vija e frontit, si dhe për të ruajtur pozicionet në qytetet e pushtuara”, tha ai.
“Ky është mendimi im subjektiv, (ushtria ruse pranë kufijve) nuk mjafton kundër ushtrisë së rregullt prej 200.000 (të Ukrainës) së bashku me rreth 400.000 ushtarë rezervë. Por, situata është shumë e pazakontë”, pohoi ai.
Zubenko tha se ata i luten Zotit, “i cili është mjaft i fuqishëm për të ndaluar çdo agresion”, për të mbrojtur vendin.
Pastori Petr, i cili shërben në Kishën Katolike Greke që nga viti 2019, tha se “kisha, si i gjithë vendi, po kalon përmes kësaj situate lufte”, duke shtuar se ata ndjekin lajmet më të fundit mbi konfliktin.
“Kisha jonë po lutet për paqen në vendin tonë”, tha ai.
“Shërbesa jonë në kishë fillon me një lutje të përbashkët për paqe nga qielli dhe ne i kërkojmë Zotit mëshirë”, tha ai, duke vënë në dukje se vendasit i kërkojnë Zotit që gjithçka të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Pastori vuri në dukje se së bashku me njerëzit e zakonshëm, disa ushtarakë ukrainas gjithashtu vizitojnë kishën për shërbimin. Pastorët gjithashtu vizitojnë herë pas here njësitë ushtarake aty pranë për ata ushtarakë që nuk janë në gjendje të vizitojnë kishën.
Rusia kohët e fundit grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.
Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim, duke pretenduar trupat e saj janë atje për stërvitje. Ajo gjithashtu ka dalë me një listë të kërkesave të sigurisë, duke përfshirë mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO./AA