Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdulaziz Al Shamsi, me ç`rast diskutuan për zhvillimet e fundit si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Emirate të Bashkuara Arabe.
“Në takim me ambasadoren Al Shamsi, presidentja Osmani theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e procesit tashmë të përfunduar të heqjes së vizave për qytetarët e të dy shteteve, si hap përpara drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje në njoftim theksohet se me ambasadoren Al Shamsi, presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetmë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët.