Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili mbajti një minutë heshtje në nderim të ndarjes nga jeta të anëtares së Këshillit, të ndjerës Gylten Nobrda, përcjell KosovaPost.
Përmes një komunikate për media, thuhet se Presidentja Osmani, ka bashkëbiseduar me anëtarët e Këshillit për shqetësimet që kanë komunitetet.
Ajo ka uruar komunitetin boshnjak për ditën e tyre dhe ka theksuar se Këshilli Konsultativ është një nga zërat më të rëndësishëm të komuniteteve në Republikën e Kosovës.
Sipas saj, ky mekanizëm u jep mundësinë komuniteteve që të përfshihen në nisma legjislative dhe si rezultat, të avancojnë pozitën e komuniteteve në Kosovë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Zyra e Presidentes ka zhvilluar takime të vazhdueshme me institucionet tjera dhe ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të këtij Këshilli.
Në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete janë shqyrtuar disa rekomandime në lidhje me shënimin e Ditës së Diversitetit, shpalljen e konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.
Sipas Presidentes Osmani, promovimi i të drejtave të komuniteteve është përkushtim i cili kërkon angazhim të përbashkët.
“Si Presidente e Republikës së Kosovës, do të ofroj mbështetje të plotë, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Andaj, do të punoj për të shtyrë para rekomandimet e Këshillit gjatë tërë mandatit tim dhe për më tepër, do t`i bashkërendojmë aktivitetet tona”, ka thënë Presidentja Osmani, thuhet mes tjerash në komunikatë.