Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi të dielën mbështeti tezën e Turqisë mbi ngjarjet e vitit 1915, kundër deklaratave kontroverse të presidentit të SHBA-së, Joe Biden të bëra këtë fundjavë, transmeton Kosova Post.
Në një telefonatë me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, Qureshi theksoi mbështetjen e Pakistanit për Turqinë në marrjen parasysh të ngjarjeve të vitit 1915, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Ne besojmë se qasjet e njëanshme dhe kategorizimi politik i ngjarjeve historike mund të minojnë besimin dhe të çojnë në polarizim midis kombeve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Zahid Hafeez Chaudhri në një njoftim.
Në njoftim vlerësohet qasja konstruktive e Turqisë mbi këtë temë, përfshirë propozimin e Ankarasë për një komision të përbashkët historik për të eksploruar faktet.
Ministria e Jashtme e Turqisë falënderoi Pakistanin për mbështetjen duke thënë në Twitter: “Faleminderit Pakistani vëllazëror! Rroftë miqësia Turqi-Pakistan!”.
Të shtunën, Biden i quajti ngjarjet e vitit 1915 “gjenocid”, duke thyer traditën e mbajtur të presidentëve amerikanë që të përmbahen nga përdorimi i termit.
Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915
Pozicioni i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekjet e armenëve në Anadollin lindor ndodhën kur disa morën anën e rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane.
Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta. Turqia kundërshton paraqitjen e këtyre incidenteve si “gjenocid”, duke i përshkruar ato si një tragjedi në të cilën të dyja palët pësuan viktima. Ankaraja ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia si dhe ekspertësh ndërkombëtarë për të trajtuar çështjen.
Në vitin 2014, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i atëhershëm i Turqisë, tani president, u shprehu ngushëllime pasardhësve të armenëve që humbën jetën në ngjarjet e vitit 1915.(AA)