PDK refuzon votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës është shtyrë për një datë tjetër për shkak të mungesës së shumicës së përfaqësuesve të kësaj partie në sallë.
Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë në një deklarim për media se refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Ata kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e ndërlidhur këtë kërkesë me masat e BE-së dhe ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së ndaj Kosovës.
“Ju e dini që tash e një periudhe apo më mirë nga qershori i viti të kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e voton as një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e ka votuar asnjë ligj në kuadër të Kuvendit me qëllimin e vetëm që të mos krijojmë kushte që të punohet me tutje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ju e shini që tashmë nuk ka kuptim që të ja bëjmë kuorumin dhe te votojmë marrëveshje ndërkombëtare kur vendi ynë është nën sanksione”, u shpreh Tahiri.