Zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara po bëjnë histori në shumë nivele.
Ato do të përballin ish-presidentin Donald Trump, republikan, dhe presidentin aktual, Joe Biden, demokrat.
Të dy ata ishin në garë për president edhe në vitin 2020 dhe përballja e përsëritur ndodh për herë të parë në gati 70 vjet.
Nëse fiton, Biden, 81 vjeç, do të bëhej presidenti më i vjetër amerikan që siguron një mandat të dytë katërvjeçar në muajin nëntor.
Ai ka hedhur poshtë çdo dyshim të mundshëm për qëndrueshmërinë e tij mendore dhe fizike.
Trump, i cili përballet me një sërë akuzash penale për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në vitin 2020 – i cili ka nxjerrë fitues Bidenin – si dhe për keqbërje të tjera të supozuara, është presidenti i parë amerikan që ka dalë në gjyq për njërën akuzë penale.
Në moshën 77-vjeçare, ai do të ishte gjithashtu ndër burrat më të vjetër që do të shërbente si president, nëse do të fitonte mandatin e dytë.
Robert F. Kennedy Jr., 70 vjeç, pasardhës i familjes së famshme politike Kennedy, do të garojë gjithashtu, por si kandidat i pavarur.
Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, sondazhet kombëtare i nxjerrin Bidenin dhe Trumpin në garë tejet të ngushtë me njëri-tjetrin.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për konfliktin Izrael-Hamas?
Biden është kritikuar fuqishëm nga shumë demokratë për mbështetjen e tij të palëkundur për Izraelin, i cili është në konflikt me Hamasin – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në Rripin e Gazës.
Protesta kanë shpërthyer në shumë qytete dhe në kampuse universitare në gjithë SHBA-në.
Administrata Biden i ka bërë thirrje Qeverisë izraelite që ta reduktojë ofensivën në Gazë, ku, sipas zyrtarëve shëndetësorë atje, janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë.
Trump dhe republikanët e mbështesin, gjithashtu, Izraelin dhe i kanë akuzuar protestuesit pro-palestinezë se janë antisemitë.
Por, Trump i ka bërë thirrje Izraelit që “ta përfundojë” luftën, ose rrezikon ta humbasë mbështetjen globale.
Ai nuk ka qartësuar nëse politika e tij ndaj Izraelit do të jetë ndryshe nga ajo e Bidenit.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për Kinën?
Administrata e Bidenit ka thënë se do që t’i eliminojë rreziqet në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe të punojë për ta ruajtur konkurrencën midis fuqive ekonomike numër 1 dhe numër 2 në botë.
Megjithatë, Biden ka propozuar së voni vendosjen e më shumë tarifave mbi mallrat kineze, të tilla si çeliku dhe produktet e aluminit.
Biden, po ashtu, është zotuar se do ta mbronte Tajvanin nga sulmi i mundshëm i Kinës.
Trump favorizon një politikë paqartësish, për të krijuar qëllimisht pasiguri për mënyrën se si do të vepronte SHBA-ja nëse do të sulmonte Kina.
Derisa disa republikanë e shohin Kinën si kërcënim në rritje për sigurinë kombëtare, Trump, kryesisht, e ka karakterizuar gjigantin aziatik si rival ekonomik dhe është zotuar se do të vendosë tarifa të reja mbi importet kineze.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për Ukrainën?
Biden ka mbështetur fuqishëm dërgimin e më shumë armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, e cila është në luftë kundër pushtimit rus, ndërsa Trump ka shprehur vazhdimisht dyshime nëse ndihma e tillë është në interesin kombëtar të SHBA-së.
Megjithatë, Trump ka thënë së voni se mbijetesa e Ukrainës është e rëndësishme për SHBA-në.
Në shkurt, Trump ka shkaktuar polemika kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i mbrojnë vendet e NATO-s që nuk shpenzojnë sa duhet për mbrojtje./REL