Dita e Dëshmorëve, Kurti: Trofeu i fituar nga dëshmorët është liria

Kryeministri i vendit Albin Kurti, në ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar, ka thënë se trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim, përcjell KosovaPost.

Kurti, në një postim në Facebook, ka shkruar se çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët.

“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit, duke theksuar se ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën kolektive për rrugën e ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta.

“Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellën si mësime dhe frymëzime ndër breza.

Dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun. Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin.

Lavdi përherë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, sot dhe për jetë e mot!”, ka shkruar Kurti në faqen e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika