Tragjedi e dhimbshme ajo që ka ndodhur në Shkodër. Një vajzë 9 vjeçe u gjet e vdekur dhe nëna e saj bashkë me 2 fëmijë të tjerë po kërkohen në ujërat e Bunës dhe Drinit, pasi dyshohet se janë mbytur në një akt vetëvrasjeje që sipas policisë erdhi pas dhunës që burri i të resë dhe baba i tre motakëve ushtronte ndaj tyre.
Më 3 maj 2024, e premte, Ergys Arrazi shkoi në policinë e Shkodrës. Ai denoncoi atje se e shoqja Alma dhe tre fëmijët e tyre, djalin 3, vajzën 8 dhe vajzën tjetër 9 vjeç ishin zhdukur nga banesa dhe nuk dinte se ku gjendeshin.
Ai i tha policisë se familja ishte zhdukur që nga e enjtja 2 maj dhe megjithë kërkimet e tij, nuk po i gjendet dot.
Policia tha se pas kallëzimit u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, policia ngriti dyshimin se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve.
Policia tha se nëna dhe tre motakë dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Dyshimet janë se nëna e dëshpëruar ka marrë tre fëmijët, kanë shkuar tek ura e Bunës dhe janë hedhur që andej, poshtë në lumë duke përjetuar një fund të tmerrshëm.