Sot janë përuruar punimet e reja në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me rastin e përurimit të tyre, i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti me disa deputetë, i cili ka thënë se e kemi për obligim t’u krijojmë kushte stafit të Klinikës së Urologjisë dhe pacientëve.
E sipas kryeministrit Kurti, sot mjekët kanë kushte më të mira për trajtim të pacientëve, po ashtu edhe pacientët kanë kushte më të mira për shërim. “Secila dhomë ka klimatizimin qendror me oksigjen, kurse pacientët kanë mundësinë nga shtrati ta thërrasin në çdo kohë infermierin. Ka riparim tejet të rëndësishëm të tualeteve edhe për personat me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se, pas ankesave të stafit të Klinikës së Urologjisë për kushte të këqija të punës, ka ndërmarrë menjëherë hapa të rëndësishëm për rinovimet në këtë klinikë, të cilat kapin vlerën prej 1.2 milion eurosh.