Aktivistët e Partisë Socialdemokrate, të arrestuar gjatë ditës së sotme, janë liruar nga Policia e Kosovës, shkruan Kosova Post.
Ata gjatë ditës së sotshme kanë zhvilluar një aksion kundër konferencës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Lirimin e tyre e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 10:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash, të ndodhur në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë. Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor”.
Borovci shtoi tutje se “hetuesit policor të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen”.
“Së këndejmi me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është iniciuar hetim për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” përderisa ndaj të gjithëve është iniciuar ‘Procedurë Kundërvajtëse’. Të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka sqaruar ai./KosovaPost/