Në një konferencë shtypi, pas takimit të parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Scholz tha se Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na e dëshmoi qartë dhe dhimbshëm se arritjet e Evropës në dekadat e fundit nuk janë më të vetëkuptueshme. Ne duhet të angazhohemi çdo ditë nga e para për një jetë të hapur, ku sundon ligji dhe ka mirëqenia. Nisur nga kjo Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe për të gjithë Evropën.
Shqipëria rol konstruktiv në politikën e jashtme
Kancelari gjerman më tej falënderoi Shqipërinë për rolin konstruktiv që luan në organizatat ndërkombëtare, “si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB, si aleate në kuadër të NATO-s, si anëtare e OSBE-së dhe në shumë forume të tjera ndërkombëtare.”
Gjithashtu kancelari socialdemokrat gjerman vuri në dukje se Shqipëria ka një politikë të jashtme në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së, duke kujtuar, se Shqipëria ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe “njësoj si ne, ajo dënon në mënyrë të qartë dhe të dallueshme krimet e kryera ndaj popullatës civile. Scholz përgëzoi Shqipërinë për hapat e mëdha në sundimin e shtetit ligjor dhe fusha të tjera.
Impulse të reja në Procesin e Berlinit
Kancelari gjerman u shpreh për një ringjallje të Procesit të Berlinit, të filluar në vitin 2014 nga paraardhësja e tij, Angela Merkel. Politikani gjerman inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal: Ai përmirëson ekonominë, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përshpejton afrimin me Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ai u shpreh për ngritjen e Tregut të Përbashkët Rajonal. Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga ana e tij, premtoi se Shqipëria do të vazhdojë me reformat, edhe nëse negociatat, nuk do të çelen. “Këtë nuk ia detyrojmë as Parisit, as Brukselit, por vetëm fëmijëve tanë”.
Rama ishte i pari kryeministër i vendeve të Ballkanit Perëndimor që vizitoi Scholzin në Berlin. Pas konferencës, kancelari shtroi një darkë për mysafirin nga Tirana. Paradite Rama ishte takuar edhe me presidentin Frank Walter Steinmeier dhe kryebashkiaken e Berlinit, Franziska Giffey. Rama e ftoi Scholzin të ndiqte shembullin e paraardhëses së tij, dhe t’i përgjigjej ftesës së tij për të vizituar rajonin, e sigurisht, Shqipërinë. /DW