Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me Sir Stuart Peach, të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët tanë kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj sa më i madh roli i ketij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, ajo ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.
Sipas Osmanit, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë.
Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.
Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.