Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët për media me Presidentin Borut Pahor, ka thënë ndër të tjera se për popullin e Kosovës nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, transmeton Kosova Post.
“Kosova e ka rrugën e saj të qartë e ajo është rruga e integrimit euroatlantik, për ne nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s”, ka thënë Presidentja Osmani, duke shtuar se edhe raportet me Slloveninë, synohet të thellohen.
“Heqja e vizave duhet jo të ndodh sa më shpejt. E falënderoj presidentin Pahor për mbështetjen në këtë çështje”, është shprehur Osmani.
Po ashtu, presidentja ka reflektuar edhe mbi çështjen e dialogut, duke shtuar se njohja reciproke duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së këtij procesi:
“Për fat të keq fqinji ynë nuk e dëshiron një Ballkan Perëndimor stabil dhe në paqe, prandaj edhe po përdor retorikë dhe veprime që po e destabilizojnë rajonin. Shpresojmë që BE-ja do të jetë e qartë me Serbinë dhe të kërkoj që të ndërpres retorikën destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën por edhe me shtetet tjera të rajonit”.
Sipas saj, ndërsa Serbia me këtë qasje obskurantiste vijon të mbjell politika destabilizuese, Kosova e ndjenë, si kurrë më parë, nevojën për përkrahjen e miqve të saj./KosovaPost/