Presidentja Vjosa Osmani në intervistën për RTK ka folur edhe për ngritjen e çmimit të rrymës. Ajo ka thënë se ndarja në tri blloqe tarifore do të ishte më e barabartë për qytetarët.
“Sikur të ishin rikthyer tri blloqet tarifore siç ishte deri në vitin 2017 do të ishte ndarje shumë më e drejtë, por komentet tona që i kemi dërguar në ZRRE janë marrë pjesërisht. Sidoqoftë, mendoj se këto tarifa nuk do të duhej të vlenin automatikisht, sepse ZRRE-ja duhet të diskutojë edhe njëherë, e jo tarifat e njëjta për shkak të krizës aktuale t’i zbatojë pastaj edhe kur nuk ka konsum të lartë”, ka deklaruar Osmani në intervistë për RTK.
Sa i përket asaj nëse ka ose jo shkelje kushtetuese në vendimin e ZRRE-së, presidentja tha se janë organet e tjera që e trajtojnë këtë çështje. Ndërkaq sa i përket faktit që veriu s’ka hyrë në vendimin e ZRRE-së, ajo tha se është një vendim i Kushtetueses lidhur me këtë çështje dhe po përpiqen me partnerët ndërkombëtar që marrëveshja për energji të arrihet sa më parë dhe të nisë fakturimi edhe në atë pjesë të vendit. Ajo ka thënë se shpreson që kjo temë të zgjidhet shumë shpejt në dialogun Kosovë – Serbi.