Lumir Abdixhiku është kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. 37-vjeçari ka marrë shumicën e votave të delegatëve, për ta marrë udhëheqejen e partisë.
Ai u bë kryetari më i ri që e ka drejtuar LDK-në ndonjëherë. Për të votuan 191 delegatë të partisë. Prapa e ka lënë nënkryetarin e LDK-së, Lufti Hazirin, të cilin e kanë votuar 116 delegatë. Ndërkaq Besian Mustafa ka marrë 16 vota.
Kush është Lumir Abdixhiku?
Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983. Studimet universitare i kishte përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2006 kishte marrë titullin magjistër shkence në Universitetin e Staffordshire të Britanisë së Madhe, në fushën e Moralit fiskal.
Në vitin 2013, ai ka marrë titullin doktor shkence i ekonomisë, nga Universiteti Staffordshire, pas katër vitesh hulumtimi e kërkimi në fushën e determinantëve të evazionit fiskal të bizneseve në vendet e tranzicionit.
Abdixhiku gjithashtu ka qenë drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”. Ai i ishte bashkuar këtij instituti në vitin 2005 dhe që nga atëherë ka qenë i angazhuar në disa projekte kërkimore, të avokimit e zhvillimit – në Kosovë dhe jashtë saj.
Në vitin 2017, Abdixhiku iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në dy palë zgjedhje të mbajtura, ai u zgjodh dy herë deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa këtë e ka arritur edhe në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit.
Në angazhimin e tij parlamentar, Abdixhiku kishte qenë edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.