Në fjalën përfundimtare, në gjykimin ndaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Elza Bajrami ka kërkuar nga gjykata dënimin e të akuzuarve, ndërsa mbrojtja lirimin e tyre, përcjell KosovaPost.
Prokurorja Bajrami, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës, si dhe nga vetë dhënia e mbrojtjes në gjykatë nga Kurteshi dhe dhënia e mbrojtjes në prokurori nga Shala, të cilët e kanë pranuar se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.
Po ashtu, prokurorja tha se edhe nga provat tjera që janë administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë sipas aktakuzës.
E njëjta i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të shpall fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe në rastin e matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Ndërsa, sa i përket veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1, e cila u vihet në barrë të akuzuarve Kurteshi dhe Shala, prokurorja Bajrami i ka propozuar gjykatës të marrë aktgjykim refuzues, për faktin se për këtë vepër ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Mbrojtësja e të akuzuarit Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku në fjalën e saj përfundimtare, ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë administruar provat e propozuara nga ana e prokurorisë, por jo të gjitha, sidomos pjesa ku palët e dëmtuara konsiderohen Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, pasi sipas saj të njëjtit nuk e kanë konsideruar vetën si palë të dëmtuara.
E njëjta ka thënë se si mbrojtja konsiderojnë se aktakuza është ngrit në mungesë të provave si dhe e njëjta ka dështuar që gjykatës t’i paraqes prova për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i saj.
Sipas saj, provat që janë të bashkëngjitura në aktakuzë gjykata mos t’i marrë si prova të pranueshme, sepse të njëjtat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.