Një protestë simbolike sot është mbajtur para zyrës së Kryeministrit Edi Rama në Tiranë, raporton Kosova Post.
Lëvizja për Demokraci, ka organizuar protestë për të kundërshtuar idenë e ‘Open Balkan’.
“Aktivistet e Lëvizjes për Demokraci kanë mbajtur një organizim simbolik protestues para Kryeministrisë në Tiranë, për ta kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për marrëveshjen rajonale ‘Ballkani i Hapur’, e njëkohësisht edhe marrëdhëniet e tij me krerët serbë” – thuhet ndër të tjera në kumtesën për media.
Kjo është kumtesa e plotë:
Lëvizja për Demokraci proteston në kundërshtim të ‘Open Balkan’ para zyrës së kryeministrit Rama në Tiranë
Aktivistet e Lëvizjes për Demokraci kanë mbajtur një organizim simbolik protestues para Kryeministrisë në Tiranë, për ta kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për marrëveshjen rajonale ‘Ballkani i Hapur’, e njëkohësisht edhe marrëdhëniet e tij me krerët serbë.
Para zyrës së kryeministrit të Shqipërisë aktivistët shpalosën një pano me fotografi të ndryshme që përfshinin kryeministrin Rama duke shtrënguar duart me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuqiç; Vuqiçin duke qëndruar pranë ish-politikanit Sllobodan Millosheviç, dhe fotografi nga gjenocidi serb mbi popullatën shqiptare në Kosovë.
Mexhid Ramusa nga Lëvizja për Demokraci u shpreh se përmes këtij aksioni simbolik, ata po shprehin pakënaqësinë ndaj ngjarjeve të fundit, e sidomos ndaj veprimeve të Edi Ramës.
“Kemi shprehë pakënaqësitë tona ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për lidhjet e tij me Vuqiçin, kriminelin serb, i cili ka bërë masakra në Kosovë dhe ia kemi prezantuar të gjitha faktet për lidhjet e tij me Millosheviqin, duke e kundërshtuar edhe nismën e tij për “Minishengenin Ballkanik”’.
Shkrimi në panon e shpalosur nga organizata në protestën e sotme, e cilëson Edi Ramën, si Esat Pasha. Në të shkruante:
“Edi “Esat” Rama ne nuk e kemi harruar se çfarë gjenocidi ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë në krye me Millosheviçin dhe ministrin e tij Vuçiqin! E ardhmja e shtetit tone është nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo nga ajo që pretendoni ju “Jugosllavia e Re”’. Po ta rikujtojmë kush është bashkëpunëtori juaj Vuçiq dhe çfarë krimi ka kryer mbi popullatën civile në Kosovë!”.