Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën në mbledhjen e Kuvendit të komunës së Prishtinës në të cilin parashihej të votohej buxheti për vitin 2025. Mbledhja përfundoi për shkak të mungesës së kuorumit dhe rrjedhimisht dështoi votimi i buxhetit.
Gjatë mbledhjes kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se për shkak të pyetjeve të shumta rreth buxhetit preferon që përgjigjet t’i kthejë me e-mail.
Kjo gjë nuk i pëlqeu shefit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçlës, duke e quajtur skandaloze atë që tha kryetari Rama.
“Ju po na kërkoni të votojmë diçka që nuk dini të ktheni përgjigje. Kjo paraqet stagnim. Asnjë rritje nuk ka te buxheti. Le ta dijnë qytetarët e Prishtinës që ti nuk e dinë çka ka në atë buxhet”, ka thënë Sveçla e më pas asamblistët e kësaj partie lëshuan sallën.
Para këtij debati sallën e kanë lëshuar asamblistët e PDK-së. Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se derisa nuk respektohet ligji nuk kanë pse të qëndrojnë në sallë.
kurse, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, ka thënë se nuk është zgjidhje ikja nga salla.