Bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me agjencitë zbatuese dhe rregullatorët e pavarur për zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Pakos Ekonomike ka qenë shumë i vogël nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe pakos në fjalë, përcjell Kosova Post.
Kjo është bërë e ditur nga publikimi i raportit “Hapat e parë të monitorimit të zbatimit të Ligjit të Rimëkëmbjes”, të publikuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Prishtinë.
Hulumtuesja e INDEP-it, Kaltrina Rexha tha se institucionet relevante të përfshira në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike e kanë pranuar se ka pasur mungesë të bashkëpunimit adekuat. Ajo madje tha se ligji ka shkaktuar edhe dilema për palën përfituese, me disa nene të tij, që prej kur hyri në fuqi nga dhjetori i vitit 2020.
“Duke pasur parasysh se disa masa që përfshihen në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike kanë gjetur zbatim të plotë në këtë katër mujorë, ka disa masa të tjera të cilat ende nuk kanë filluar zbatimin. Por, ndër masat që kanë gjetur zbatim më së shumti është Trusti, të cilat aplikimi për tërheqjen e shumës prej 10-përqindëshit përfundon në fund të prillit”, theksoi Rexha.
Moszbatueshmëri të saktë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike si pasojë e mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas INDEP-it, ka pasur edhe tek subvencionimin i tarifës për Burimet e Energjisë së Ripërtëritshme (BRRE), heqja e rentës minerare si dhe në sektorin e energjisë.
Dardan Abazi nga INDEP tha se Kosova si shumica e vendeve në Evropë, kishte ndërmarrë hapa për të neutralizuar efektet e pandemisë, por që, sipas tij, proceset nëpër të cilat kaloi vendi shkaktuan shumë pengesa.
Ai theksoi se Qeveria e re me kryeministër Albin Kurtin, duhet që ta ketë parasysh që masat e reja kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duhet të merren në bashkëpunim me institucionet tjera relevante.
“Një rekomandim i parë për ne është që çdo hap më tutje nga ana e institucioneve në drejtim të prezantimit të masave të reja për COVID-19, të bëhet në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, sidomos me agjencitë e pavarura dhe rregullatorët, të cilët do të jenë bartës të zbatimit të këtyre masave”, tha Abazi.
Tjetër rekomandim nga INDEP ka qenë që të ketë institucionalizim të statistikave sa i takon zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, meqë ajo nuk është pasuar me një kornizë institucionale të monitorimit të zbatimit të saj.
Humbjet e bizneseve në Kosovë parashihen të jenë miliarda euro që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, gjë e cila shtyri institucionet vendore të marrin masa për t’u dalë në ndihmë bizneseve si dhe qytetarëve.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i miratuar në fund të vitit 2020, ka për qëllim plotësimin dhe ndryshimin e disa ligjeve me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia e COVID-19. Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave ka paraparë shtyrjen e afatit të pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Gjithashtu ligji mundëson që bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, të mos u shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe lehtësime tjera për bizneset dhe qytetarët e vendit.