Diamant Salihu ka marrë njërin nga çmimet kryesore të gazetarisë në Suedi. Kosovari i cili jeton dhe vepron në këtë vend u nderua për punën e tij me “Voice of the Year” (“Zëri i Vitit”), transmeton KosovaPost.
” Është njëri nga çmimet më të famshme dhe më prestigjioze që mund t’i fitojë një gazetar në Suedi. Kjo ashtu nënkupton se të gjithë njerëzit që unë i kam takuar dhe që kanë folur me mua, e kanë ngritur zërin me mua nëpërmjet librit tim “Tills alla dor” dhe në storjet e mia si gazetarë në SVT. Ky çmim prezanton të gjithë njerëzit që kanë folur me mua”, ka theksuar ai për KlanKosova.
Salihu punën e tij si gazetar e nisi që nga mosha 16 vjeçare, ku kishte punuar në një gazetë lokale në qytetin ku jetonte.
Diamant Salihu tash 38 vjeçar ka treguar se raporton për fushat si: krimi dhe terrorizmi.
“Unë kam filluar të punojë si gazetar që nga mosha 16 vjeçare, në një gazetë lokale në qytetin tim ku jam rritur, Borlänge. Më pas, kam kryer shërbimin ushtarak në Suedi. Kam punuar për gazeta të ndryshme në Suedi, siç është ” Expressen”, e cila është njëra nga gazetat nacionale këtu në Suedi. Unë punova aty për 11 vjet me radhë”.
“Unë i kam mbuluar fushat si krimi dhe terrorizmi. Po ashtu kam raportuar për njerëzit që kanë shkuar në Siri të luftojnë me ISIS, kam mbuluar për një kohë edhe luftën në Ukrainë si dhe për sulmet terroriste në Evropë. Isha korrespondentë për gazetën time me bazë në Londër dhe në New York”.
“Profesioni im është të takoj njerëz me prejardhje të ndryshme, nga pjesë të ndryshme të shoqërisë sonë, pavarësisht nëse janë presidentë apo njerëz të pastrehë apo kriminelë. Dhe, kjo është ajo që e dua rreth punës time, pas mund të takoj njerëz dhe të rrëfejë për storiet e tyre. Ndërsa, për momentin unë jam duke punuar si gazetar hulumtues në Televizionin Publik të Suedisë, dhe jam me bazë në kryeqytet, Stokholm”, përfundoi ai.