Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar presidentin amerikan Donald Trump për një takim, duke e cilësuar atë si një lider “të zgjuar dhe pragmatik” gjatë një interviste në televizionin shtetëror rus, të premten në mbrëmje.
“Do të ishte më mirë të takohemi dhe të kemi një bisedë të qetë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët për SHBA dhe Rusinë, duke u bazuar në realitetet e sotme”, deklaroi Putin.
Gjatë intervistës, Putin mbështeti pretendimet e Trumpit se konflikti në Ukrainë mund të ishte shmangur nëse ai do të ishte president në vitin 2022. Putin gjithashtu shprehu gatishmërinë e Moskës për të zhvilluar bisedime me SHBA-në për një gamë të gjerë çështjesh, raporton.
“Nuk mund të mos pajtohem me të kur thotë se nëse ai do të ishte president dhe nëse nuk do t’i kishin vjedhur fitoren në vitin 2020, kriza që shpërtheu në Ukrainë në vitin 2022 mund të ishte shmangur”, tha Putin.
Kjo deklaratë është mbështetja më e hapur e Putin për refuzimin e Trump për të pranuar humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump ka deklaruar shpesh se nuk do ta kishte lejuar nisjen e luftës në Ukrainë nëse do të ishte në pushtet, pavarësisht se ai ishte president kur tensionet në lindje të vendit midis forcave të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska po përshkallëzoheshin.
Të enjten, Trump i tha Fox News se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duhej të kishte bërë një marrëveshje me Putinin për ta shmangur luftën.
Putin theksoi se është i hapur për bisedime, por akuzoi Zelenskyy-n për ndalimin e negociatave në vitin 2022.
“Si është e mundur të zhvillohen bisedime kur ato janë të ndaluara?”, tha Putin.
“Nëse bisedimet fillojnë në kornizën aktuale ligjore, ato do të ishin të paligjshme dhe rezultatet e tyre gjithashtu mund të shpallen të paligjshme”, shtoi presidenti rus.
Putin theksoi se SHBA dhe Rusia kanë shumë tema për të diskutuar, përfshirë kontrollin e armëve bërthamore dhe çështjet ekonomike.
“Ne mund të kemi shumë pika kontakti me administratën aktuale dhe të kërkojmë zgjidhje për çështjet kyçe të sotme”, tha Putin, Euronews.com.Ai kritikoi sanksionet ndaj Rusisë gjatë mandatit të parë të Trump dhe administratës së Joe Biden, duke theksuar se ato kanë dëmtuar interesat amerikane dhe rolin e dollarit në sistemin financiar global.
“E kam të vështirë të imagjinoj që Trump do të merrte vendime që do të dëmtonin ekonominë amerikane”, shtoi Putin rreth paralajmërimeve të Trump për sanksione të reja në rast se Putin refuzon ta ndalojë luftën në Ukrainë.