Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, u miratua propozim vendimi për t’i ndarë disa mjete shtesë, si ndihmë për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, transmeton Kosova Post.
Ishte Kryeministri Albin Kurti i cili e lexoi pikën e radhës, ndërsa shpaloi se:
“Shqyrtimi i propozim vendimit për aprovimin e pagesës shtesë për përfituesit e skemës pensionale për muajin nëntor 2021 në zbatim të pakos ekonomike dhe me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve në moshë.”
Ministri i financave Hekuran Murati, sqaroi më tej këtë pikë të rendit të ditës:
“Ministria e Financave dhe Transfereve në kuadër të “Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, masa 3.2: mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, propozon ndarjen e mjeteve financiare me vlerë prej 30 milionë eurosh, për t’iu dalë në ndihmë përfituesve të skemave pensionale.”
Po ashtu për periudhën nëntor- dhjetor, është dyfishuar pagesa për këto kategori.
Edhe kjo masë është në kuadër të masës 3.2.
Synon dyfishimin e pagesës për këto kategori.
“Për ta sqaruar, nëse një familje para ardhjes sonë i merr 100 euro si asistencë sociale, me ardhjen tonë në qeveri, i kemi rritur për 30% pensionet, që i bie që deri më tani i ka marr 130 euro. Ndërsa me këtë dyfishim, rritja do të jetë 260 euro… janë diku afër 320 mijë familje që do të preken drejtpërdrejtë nga kjo pako.”
Propozimet u votuan pa asnjë kundërshtim./KosovaPost/