Qeveria e re e Libanit, e udhëhequr nga Najib Mikati, e cila u formua më 10 shtator, mori votëbesim në Parlament.
Kryetari i parlamentit libanez Nebih Berri mblodhi Parlamentin për të diskutuar planin e veprimit të hartuar nga kabineti prej 24 anëtarësh i kryesuar nga Mikati dhe për ta vënë atë në votëbesim.
Kryeministri Mikati prezantoi planin e veprimit të kabinetit të tij, i cili u miratua javën e kaluar, duke e përshkruar atë si një “qeveri shpëtimi”.
Mikati deklaroi se ata synojnë të shpëtojnë vendin dhe të mbrojnë qytetarët nga vështirësitë me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme, si dhe të parandalojnë migrimin.
“Qeveria do të përpiqet të rivendosë besimin në institucionet libaneze, brenda dhe jashtë, do të ndalojë shkatërrimin dhe do të fillojë procesin e zhvillimit”, tha ai.
Pas marrjes së votës së besimit, Mikati tha se do të fillonin negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për planifikimin e mbështetjes bazuar në një program shpëtimi afatshkurtër dhe afatmesëm, duke shtuar se ata gjithashtu do të shkojnë në bisedime për të mbrojtur kufijtë detarë të Libanit.
Ai deklaroi se do të mbeten të përkushtuar për të punuar për të drejtën e refugjatëve palestinezë në Liban për t’u kthyer në tokat e tyre dhe nuk do t’u jepet shtetësia libaneze, ndërsa shtoi se do të vazhdojnë të punojnë për kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre dhe do të kërkojnë kontribut nga bashkësia ndërkombëtare për barrën e refugjatëve.
“Ne do të përqendrohemi në forcimin e marrëdhënieve të Libanit me vendet arabe”, tha Mikati, ndërsa në të njëjtën kohë u bëri thirrje arabëve të qëndrojnë me libanezët gjatë kësaj kohe të vështirë.
Kryeministri Mikati bëri të ditur se do të jenë të përkushtuar për të mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në kohë, duke shtuar se i kanë dhënë përparësi përfundimit të hetimit mbi shpërthimin në Portin e Bejrutit.
Qeveria e Mikatit fitoi një votëbesim me 85 vota pro nga 100 deputetë që morën pjesë në votim.
Libani, i cili është i brishtë për sa i përket ndarjeve politike të bazuara në fe dhe sekte të ndryshme, po përjeton krizën e tij më të madhe ekonomike që nga lufta civile e 1975-1990./trt