Fjalën pas tij e mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se rrallëherë ndodh që Kuvendi i Shqipërisë “të shquhet për dakordësi”, mirëpo “mbështetja ndaj rezistencës ukrainase kundër pushtuesve rusë, është e përbashkët”.
“Gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, është rreshtuar krah jush me çdo gjë që kemi mundur”, tha Rama.
Ai theksoi se Shqipëria po mundohet t’i dalë në ndihmë Ukrainës në forma të ndryshme.
“Shqipëria është vend shumë më i vogël se i juaji, mundësitë për ndihmë janë modeste. Por, kemi besuar që në fillim se, edhe pse materialisht s’mund të bëjmë gjë, mund të jemi të vlefshëm me zë në tryezat e NATO-s dhe OKB-së, ku kemi qenë bashkënismëtarë të rezolutave të rëndësishme kundër agresionit rus”, tha Rama.
Ai tha se shqiptarët bashkëndiejnë thellësisht me vuajtjet e popullit ukrainas, sepse jo shumë kohë më parë u përballën edhe vetë me luftë.
“Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mund ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them, i nderuar president Zelensky, se historia jonë e afërt – kur gjysmë milioni shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri – na ndihmon të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës”, u shpreh Rama.
Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës, duke vendosur sanksione kundër Rusisë, si dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.REL