Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Holandë, ku do të takohet me homologun Mark Rutte.
Por ndërsa Rama po viziton këtë vend, mediat holandeze kanë publikuar në intervistë gazetarin dhe shkrimtarin e njohur, Fatos Lubonja.
Ky i fundit ka dhënë një intervistë për portalin Sargasso, ku thotë se kryeministri holandez nuk duhet t’i besojë Ramës.
“Kryeministri Rutte është vizituar sot nga homologu i tij shqiptar Edi Rama. Ai padyshim që do të përpiqet ta bindë për përparimin e Shqipërisë drejt një shteti liberal-demokratik të pranueshëm për BE-në. Shkrimtari shqiptar Fatos Lubonja, i burgosur për 17 vite nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, paralajmëron Rutten që të mos besojë te Rama. Nuk ka fare progres, thotë ai në këtë intervistë. Vendi po përkeqësohet me shpejtësi. Shqipëria është në kontrollin e mafies dhe Rama e lehtëson këtë, sipas Lubonjës”, shkruan media holandeze.
Në intervistë ai shprehet se nuk ka kurrfarë progresi në Shqipëri, ndërsa vendi po përkeqësohet me shpejtësi. Shkrimtari shqiptar, i dënuar me 17 vite burg gjatë komunizmit, thotë se Shqipëri është një shtet mafioz dhe Edi Rama e ka lehtësuar diçka të tillë.
Për të ilustruar rënien e Shqipërisë nga standardet evropiane, Lubonja, fitues i çmimit holandez ‘Prince Claus’ jep dy shembuj.
I pari është kur kryeministri foli nga Shkodra gjatë fushatës së vitit të kaluar. Duke iu përgjigjur biznesmenëve që ankohen për mungesë punëtorësh, ai i këshilloi që të marrin staf nga Bangladeshi, pasi jo vetëm që punojnë më shumë, por nuk dinë shqip dhe nuk flasin shumë.
“Ky është përdorim i njerëzve për të maksimizuar fitimin. Në një shoqëri të qytetëruar, sipas parimit kantian, një lider politik duhet t’i trajtojë njerëzit dhe mirëqenien e tyre si qëllim,” thotë Lubonja, duke shtuar se Rama është një promotor vulgar i formës më të hapur të shfrytëzimit kapitalist.
Sipas Lubonjës, Partia Socialiste që drejton Rama nuk është aspak e denjë për emrin që mban. Këtë e ilustron edhe fakti se në një rast kur Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, u tha se duhet të vijnë sepse nuk do të shqetësohen nga sindikatat sepse ato nuk ekzistojnë në Shqipëri.
Shembulli i dytë, sipas Lubonjës, ka të bëjë me tregtinë e drogës. Në intervistë ai citon një raport për numrin e personave të arrestuar në Europë për trafik kokaine. 266 shqiptarë janë arrestuar mes viteve 2018 dhe 2020. Shqipëria kryeson listën, duke qëndruar më lart se Brazili dhe Kolumbia.
“Si është e mundur që një vend kaq i vogël të prodhojë kaq shumë krim? Sepse Shqipëria është bërë një shtet mafioz. Kjo konfirmohet edhe nga një prokuror italian që ka ndjekur Ndraghetën, që thotë se Shqipëria është bërë si Kalabria e viteve ‘60”.
Lubonja thotë se Edi Rama është një lider autokratik.b.w.