Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se vaksinat antiCOVID nga Pfizer do të vijnë mbrëmjen e sotme.
Kreu i qeverisë dha lajmin e mirë se qeveria është pranë marrëveshjes përfundimtare edhe me AstraZeneca. Po ashtu po bisedohet me tre shtete që të sigurohen doza të tjera vaksina.
Sipas Ramës, deri në këto momente është i realizueshëm skenari që vaksinimi i popullsisë të realizohet brenda 14 muajsh.
“Nuk jemi as në dorë të mekanizmit të Covax që edhe aty problemi është i jashtëzakonshëm pjesë e kësaj katrahure. Kanë filluar kërcënime për hedhje nëpër gjyqe, penalitete për kompanitë nga ana e BE-së ndërkohë që ne kemi vetëm një spostim në kohë pasi dozat e para të Pfizer duhet të vinin në javën e tretë të Janarit dhe sipas konfirmimit të fundit, dozat e para mbërrijnë sot në darkë dhe do të vazhdojnë me faza, ndërkohë që jemi shumë afër një marrëveshje përfundimtare me AstraZeneca dhe po vazhdojmë kontaktet tona me disa vende. Janë tre shtete me të cilat vazhdojmë kontaktet dhe jemi në rrugë të mbarë kështu që për momentin mund të them që skenari i parë për vaksinimin brenda 14 muajsh nuk ka rënë akoma”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se do të vijnë më pak doza seç ishin parashikuar, por e rëndësishme sipas tij është fakti që do të vazhdojnë vaksinimi. Injeksioni do t’u jepet fillimisht atyre që janë në frontin e parë të luftës me COVID, ndërsa më pas do të vijohet edhe me të moshuarit.
“Do vazhdojmë me mjekët dhe infermierët sepse janë ata që kanë radhën të parët dhe paralelisht do të vijojmë me të moshuarit. Nuk e kam në moment sa do të jenë dozat që do të vijnë sot, por e rëndësishme është që do të vijojmë të vaksinojmë të tjerë dhe besoj që muaji Shkurt do të jetë një muaj me qartësi për gjithë procesin. Sot do të vijnë doza më pak se ato që ishin angazhuar për partinë e parë, por sidoqoftë e rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë sepse këtë e kishim të garantuar dhe do të vazhdojmë me të tjerët”, tha Rama./tvklan