Sot është raportuar për një vdekje të dyshimtë. Një zyrtare policore, rreth 50 vjeçe, është gjetur pa shenja jete në Gjilan, transmeton Kosova Post.
Vdekjen e saj e kanë konfirmuar mjekët në vendin e ngjarjes, ndërkaq pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një armë e zjarrit.
“Fatkeqësisht sot jemi njoftuar me një rast, për një trup të pajetë dhe kemi të bëjmë me një zyrtare policore. Zyrtarja në fjalë ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune dhe ka qenë duke punuar në Gjilan. Ende jemi në vendin e ngjarjes, jemi në fazën e parë të hetimeve, në afërsi të trupit është gjetur një armë zjarri, dhe prokurori për krime të rënda në bashkëpunim me policinë rastin jemi duke e trajtuar si vdekje e dyshuar. Trupi me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku do të kryhet obduksioni dhe më pas prokuroria dhe policia do ta kenë një pasqyrë më të kjartë në lidhje me rastin e rëndë”, tha Remzi Azemi, Shef i Hetimeve Rajonale, në një konferencë për media.
Më tej ai shtoi se pasi janë njoftuar familjarët, një ekip është duke qëndruar pranë tyre, në mënyrë që t’iu ofrojnë mbështetje dhe për çfardo që të kenë nevojë./KosovaPost/