Kryetari i Klubit “Demokracia Konservatore” ka reaguar përmes një shkrimi në facebook, për sulmet brutale të ushtrisë dhe policisë izraelite ndaj myslimanëve që faleshin në xhaminë Aksa, njofton Kosova Post.
Në vijim mund ta gjeni postimin e plotë të z. Klinakut.
Dikur Zoti i Madhërishëm është adhuruar lirshëm në xhaminë e profetëve të mëdhenj, Musait a.s., Isait a.s. e Muhamedit a.s. Objektet fetare hebraike dhe të krishtere ruheshin dhe siguroheshin nga myslimanët. Çelësat e tyre i besoheshin myslimanëve, renovimet dhe rregullimet e tyre ju besoheshin myslimanëve dhe organizimi i jetës fetare hebraike dhe krishtere, bëhej nën mbrojtjen e myslimanëve. Pra, dikur ka ekzistuar bashkëjetesa paqësore në Jerusalem.
Demokracia nuk ekzistonte si koncept por demokraci e liri kishte. Kishte jetesë paqësore që ndërtohej nga vlerat e lirisë që buronin nga mësimet Hyjnore.
Sot, kur mendohet se ekziston demokracia, në Jerusalem nuk ka as liri e as demokraci. Në Jerusalem nuk ka jetë e lëre më bashkëjetesë. Në Jerusalem ka vrasje e dhunim të adhuruesve myslimanë e nëpërkëmbje të shenjtërisë së xhamisë së profetëve tonë të përbashkët.
Jerusalemi është vendi i adhurimit dhe reflektimit mbi vlerat hyjnore që i ka vendosur Zoti i Madhërishëm. Kush do që i cenon ato ka cenuar njerëzoren.
Në lutjet tona, sikur se në çdo Ramazan, është Jerusalemi.


























